Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Fjalë Që Duhen Shmangur (ose Përdorur me Kujdes) Ngaqë Janë Me Spec, ose Ngatërruese

Ka një numër fjalësh dhe togfjalëshash që këshillojmë të shmangen, ose të shmangen në disa kontekste të caktuara dhe për përdorime të caktuara. Disa janë të dykuptimta ose qorrollisëse; të tjera vijnë prej këndvështrimesh me të cilët nuk pajtohemi dhe shpresojmë që të mos pajtoheni as ju.

akses” | alternativ” | Altoparlant i mençur” | asete” | bllokues reklamash” | cloud computing” | content” | Digital Rights Management” | dryna dixhitalë” | ekosistem” | falas” | FLOSS” | FOSS” | freeware” | Google” | haker” | i hapët” | i mbyllur” | industri software” | Inteligjencë Artificiale” | Internet Gjërash” | i passhëm lirisht” | komercial” | kompensim” | konsumator” | konsumo” | krijues” | Freemium” | Free-to-play” | licencuar sipas Creative Commons” | Lojtarë (thënë për biznese)“ | mallra dixhitale” | mbrojtje” | model burimi” | modern” | monetizoni” | MP3 player” | ndarje me të tjerët (të dhënash personale)” | në stil BSD-je” | PC” | Photoshop” | pirateri” | PowerPoint” | Produkt” | Pronar të Drejtash Kopjimi” | pronësi intelektuale” | RAND” | SaaS” | sharing economy” | shisni software” | sistem LAMP” | sistem Linux” | Skype” | software give away” | treg” | Tregtuestrusted computing” | vjedhje” | Zgjidhni lënien jashtë” |



“Akses”

Është një keqkuptim i rëndomtë të mendohet se software i lirë do të thotë që publiku të ketë “akses” te një program. S'është kjo ajo që do të thotë software i lirë.

Kriteri i të qenit software i lirë nuk është se cili ka “akses” te programi; katër liritë thelbësore lidhen me atë se çfarë i lejohet të bëjë me programin, një përdoruesi që ka një kopje të tij. Për shembull, liria 2 thotë se përdoruesi është i lirë të bëjë një kopje tjetër dhe t’jua japë ose t’jua shesë. Por asnjë përdorues s’e ka detyrim ta bëjë këtë për ju; s’keni ndonjë të drejtë t’i kërkoni cilitdo përdorues një kopje të atij programi.

Veçanërisht, nëse shkruani vetë një program dhe nuk ofroni kurrë një kopje të tij për dikë tjetër, ai program është software i lirë, edhe pse në mënyrë triviale, ngaqë çdo përdorues që ka një kopje gëzon katër liritë thelbësore (meqë i vetmi përdorues i tillë jeni ju).

Në praktikë, kur kopje të një programi kanë shumë përdorues, është e sigurt që dikush do ta postojë në internet, duke e bërë të passhëm për këdo. Ne mendojmë se njerëzit duhet ta bëjnë këtë, nëse programi është i dobishëm. Por kjo s’është domosdoshmëri software-i të lirë.

Ka një pikë specifike për të cilën çështja e pasjes së aksesit është drejtpërsëdrejti e lidhur me software-in e lirë: licenca GNU GPL lejon t’i jepet një përdoruesi të dhënë akses për shkarkimin e kodit burim të një programi, si zëvendësim të dhënies atij përdoruesi një kopje materiale të burimit. Kjo vlen për rastin e veçantë në të cilin përdoruesi e ka tashmë një kopje të programit në një formë jo burim.

Në vend se me software-in e lirë, publiku ka akses te programi, ne themi, me software-in e lirë, përdoruesi gëzon liritë themelore dhe se me software-in e lirë, përdoruesit kanë kontroll mbi çka programi bën për ta.

“Alternativ”

S’e përshkruajmë software-in e lirë si një “alternativë” ndaj pronësorit, ngaqë kjo fjalë lë të nënkuptohet se krejt “alternativat” janë legjitime dhe se çdo e tillë e re, që shtohet, e bën më të mirë gjendjen për përdoruesit. Në të vërtetë, ajo nënkupton se software-it të lirë i bie të bashkekzistojë me software që s’respekton lirinë e përdoruesve.

Ne besojmë se shpërndarja si software i lirë është e vetmja rrugë etike për ta bërë software-in të passhëm për përdorim nga të tjerët. Metodat e tjera, software jo i lirë dhe Shërbim si Zëvendësim Software-i i kthejnë përdoruesit e tyre në vasalë. Nuk mendojmë se është mirë t’u ofrohen përdoruesve këto “alternativa” kundrejt software-it të lirë.

Rrethana speciale mund t’i shpien përdoruesit drejt xhirimit të një programi të veçantë, për një punë të veçantë. Për shembull, kur një faqe dërgon te shfletuesi i përdoruesit kod JavaScript, kjo i shpie përdoruesit drejt xhirimit të atij programi klient specifik, në vend se cilitdo tjetër të mundshëm. Në rast të tillë, ka një arsye për ta përshkruar si alternativ çfarëdo kodi tjetër për atë punë.

“Altoparlant i mençur”

Ky term është tërësisht absurd. U referohet produkteve që dëgjojnë dhe kuptojnë urdhra zanorë; kanë gjithashtu një altoparlant për të thënë përfundime të këtyre urdhrave. Funksioni i tyre parësor është të dëgjojnë për urdhra. Le t’i quajmë “dëgjues urdhrash zanorë”.

“Asete”

T’u referohesh veprave të botuara si “asete”, ose “asete dixhitale”, është edhe më keq se sa t’i quash “content” — kështu shpërfillet vlera e tyre për shoqërinë, tej vlerës komerciale.

“Bllokues reklamash”

Kur qëllimi i një programi është të bllokojë reklama, “bllokues reklamash” është një term i mirë për të. Por shfletuesi GNU IceCat, të themi, bllokon reklama që ndjekin përdoruesin, si pasojë masash më të gjera për parandalim survejimi nga sajtet. Ky nuk është “bllokues reklamash”, është mbrojtje nga survejimi.

“BSD-style”

Shprehja “licencë në stil BSD” shpie në konfuzion, ngaqë trajtohen njësoj licenca që kanë dallime të rëndësishme. Për shembull, licenca origjinale BSD me klauzolën për reklama është e papërputhshme me GNU General Public License, por licenca BSD e rishikuar është.

Për të shmangur konfuzionin, më e mira është të emërtohet licenca specifike për të cilën bëhet fjalë dhe të shmanget termi i vagullt “BSD-style”.

“Cloud Computing”

Termi “cloud computing”1 (ose thjesht “cloud” në kontekstin e punimit me kompjuter) është një fjalë në modë, marketingu, pa ndonjë domethënie koherente. Përdoret për një gamë veprimtarish të ndryshme nga njëra-tjetra, karakteristika e vetme e përbashkët e të cilave është se përdorin Internetin për diçka më shumë se shpërngulje kartelash. Prandaj, termi përhap konfuzion. Nëse të menduarit tuaj e bazoni në të, ky do të jetë konfuz (ose, mund të thoshim, “cloudy”2?).

Kur e sillni në mend, ose i përgjigjeni një pohimi që dikush tjetër ka bërë duke përdorur këtë term, hapi i parë është të sqarohet tema. Për cilët skenarë është pohimi? Cili term është i përshtatshëm, i qëruar për atë skenar? Pasi të jetë formuluar qartë tema, atëherë bëhet i mundur të menduarit koherent rreth tij.

Një nga shumë kuptimet e “cloud computing” është depozitimi dhe ruajtja e të dhënave tuaja te shërbime internetore. Në shumicën e skenarëve, kjo është marrëzi, ngaqë ju ekspozon ndaj survejimit.

Një tjetër kuptim (që pritet me të, por pa qenë e njëjta gjë) është Service as a Software Substitute3, çka ju mohon kontrollin mbi kompjuterin tuaj. S’duhet të përdorni kurrë SaaSS.

Një tjetër kuptim është dhënia me qira e një shërbyesi fizik të largët, ose shërbyesi virtual. Këto praktika, në disa rrethana të dhëna, janë në rregull.

Një tjetër kuptim është hyrja në shërbyesin tuaj prej pajisjes tuaj celulare. Këtu nuk dalin çështje të veçanta etike.

Përkufizimi i NIST-it për “cloud computing” përmend tre skenarë që ngrenë çështje të ndryshme etike: Software-i si Shërbim, Platforma si Shërbim dhe Infrastruktura si Shërbim. Por ai përkufizim s’përputhet me përdorimin e zakonshëm të termit “cloud computing”, ngaqë nuk përfshin depozitimin e të dhënave në shërbime internetore. Software-i si Shërbim, ashtu siç përkufizohet nga NIST, mbivendoset në mënyrë të konsiderueshme me Shërbimin si Zëvendësim Software-i, i cili abuzon me përdoruesit, por dy konceptet nuk janë të barasvlershëm.

Këto praktika punimi në kompjuter, të ndryshme nga njëra-tjetra, as që hyjnë në të njëjtin diskutim. Mënyra më e mirë për të shmangur konfuzionin që termi “cloud computing” përhap, është të mos përdoret termi “cloud” kur bëhet fjalë për punim me kompjuter. Flisni për skenarin që keni në mendje dhe quajeni me një term specifik.

Ia vlen të shënohet që edhe Larry Ellison, një zhvillues programesh pronësorë, vuri re zbrazëtinë e termit “cloud computing”. Ai vendosi ta përdorë termin, sido qoftë, ngaqë, si zhvillues software-i pronësor, s’është i motivuar prej të njëjtash ideale si ne.

“Digital Rights Management”

“Digital Rights Management”4 (shkurtuar si “DRM”) i referohet mekanizmave teknikë të konceptuar për të imponuar kufizime mbi përdoruesit e kompjuterave. Përdorimi i fjalës “rights” (të drejta) në këtë term është propagandë, e konceptuar t’ju shpjerë pa e pasur mendjen drejt parjes së çështjes nga këndvështrimi i atyre pakëve që imponojnë kufizimet dhe shpërfilljes së atij të publikut të përgjithshëm mbi të cilin imponohen këto kufizime.

Ndër alternativa të mira përfshihen “Digital Restrictions Management”5 dhe “pranga dixhitale”.

Ju lutemi, regjistrohuni që të përkrahni fushatën tonë për shfuqizimin e DRM-së.

“Dryna Dixhitalë”

“Dryna dixhitalë” përdoret për t’iu referuar Administrimit Dixhital të Kufizimeve, nga dikush që e kritikon. Problemi me këtë term është se ai nuk arrin të shpalosë të keqen e DRM-së. Personat që e adoptuan termin, nuk e vranë dhe aq mendjen.

Drynat s’janë doemos shtypës apo të këqij. Ka gjasa që të keni në zotërim disa dryna, si dhe çelësat apo kodet për ta; mund t’i shihni si të dobishëm ose të bezdisshëm, por nuk ju shtypin, sepse mund t’i hapni ose mbyllni si doni. Në mënyrë të ngjashme, fshehtëzimin e shohim të paçmueshëm për mbrojtjen e kartelave tona dixhitale. Ky, po ashtu, është një lloj dryni dixhital kontrollin e të cilit e keni ju.

DRM-ja është si një dry i vendosur mbi ju nga dikush tjetër, që refuzon t’ju japë çelësin — me fjalë të tjera, njësoj si pranga. Ndaj, metafora e duhur për DRM-në është “pranga dixhitale”, jo “dry dixhital”.

Një numër fushatash kundërshtimi kanë zgjedhur termin e pamend “bllokime dixhitale”; që t’i vëmë gjërat në vijë, duhet të këmbëngulim pa lëkundje për ndreqjen e këtij gabimi. FSF-ja mund ta përkrahë një fushatë që i kundërvihet “drynave dixhitalë” nëse pajtohemi për thelbin; megjithatë, kur deklarojmë përkrahjen tonë, e zëvendësojmë haptazi termin me “pranga dixhitale” dhe e themi pse.

“Ekosistem”

Është e pakëshillueshme të përshkruash bashkësinë e software-it të lirë, ose çfarëdo bashkësie njerëzish, si një “ekosistem”, ngaqë fjala nënkupton mungesën e gjykimit etik.

Termi “ekosistem” sugjeron në mënyrë të nënkuptuar një qëndrim vëzhgues pa gjykim: mos pyet si, pse, çfarë, duhet të ndodhë, thjesht studio dhe kupto çfarë ndodh. Në një ekosistem, disa organizma konsumojnë organizma të tjerë. Në ekologji nuk pyetet nëse është e drejtë që një buf të hajë një mi apo që një mi të hajë një farë, thjesht vëzhgojmë se e bëjnë këtë. Popullatat e specieve shtohen ose mpaken sipas kushteve; kjo as është mirë, as është gabim, është thjesht një dukuri ekologjike, madje edhe kur shkon deri në zhdukjen e specieve.

Përkundrazi, qeniet që bëjnë të vetin një qëndrim etik kundrejt asaj që i rrethon, mund të vendosin të ruajnë gjëra që, pa ndërhyrjen e tyre, mund të zhduken — bie fjala, shoqëria civile, demokracia, të drejtat e njeriut, paqja, shëndeti publik, një klimë e qëndrueshme, ajër dhe ujë i pastër, specie të rrezikuara, arte tradicionale… dhe liri të përdoruesve të kompjuterit.

“Falas”

Nëse doni të thoni se një program është software i lirë, ju lutemi, mos thoni se mund të kihet “falas”. Ai term do të thotë pikërisht “kundrejt një çmimi zero”. Software-i i lirë është punë lirie, jo çmimi.

Kopje software-i të lirë shpesh mund të kihen falas — për shembull, duke i shkarkuar përmes FTP-së. Por software i lirë mund të kihet edhe kundrejt një çmimi, në CD-ROM; më anë tjetër, kopje software-i pronësor ka raste që jepen falas nëpër promocione dhe disa paketa pronësore jepen normalisht pa pagesë për disa përdorues.

Për të shmangur konfuzionin, mund të thoni se programi mund të kihet si “software i lirë”.

“FLOSS”

Termi “FLOSS”, që do të thotë “Free/Libre and Open Source Software”, u sajua si një rrugë për të qenë asnjanës mes software-it të lirë dhe burimit të hapët. Nëse synimi juaj është asnjanësia, “FLOSS” është rruga më e mirë për të qenë asnjanës. Por nëse doni të shpalosni se i dilni në krah lirisë, mos përdorni një term asnjanës.

“FOSS”

Termi “FOSS”, që do të thotë “Free and Open Source Software”, u sajua si një rrugë për të qenë asnjanës mes software-it të lirë dhe burimit të hapët, por nuk ia arrin vërtet kësaj. Nëse synimi juaj është asnjanësia, “FLOSS” është më mirë. Por nëse doni të shpalosni se i dilni në krah lirisë, mos përdorni një term asnjanës.

Në vend se FOSS, ne themi, software i lirë ose software i lirë (libre).

“Freemium”

Termi i ngatërruar “freemium” përdoret në marketing për të përshkruar software nonfree versioni standard i të cilit është falas, me shtesa jo të lira, me pagesë.

Përdorimi i këtij termi punon kundër lëvizjes së software-it të lirë, ngaqë i shpie njerëzit ta mendojnë “i lirë” si të thoshte “çmim zero”.

“Free-to-play”

Termi ngatërrues “free-to-play” (shkurtuar si “F2P”) përdoret në marketing për të përshkruar lojëra jo të lira që nuk duan ndonjë pagesë, para se një përdorues zë e luan. Në shumë nga këto lojëra, dalja mirë në lojë kërkon doemos pagim më vonë, ndaj termi “falas-për-t’ia-filluar” është një përshkrim më i përpiktë.

Përdorimi i këtij termi punon kundër lëvizjes së software-it të lirë, ngaqë i shpie njerëzit ta mendojnë “i lirë” si të thoshte “çmim zero”.

“Freeware”6

Ju lutemi, mos e përdorni termin “freeware” si një sinonim për “software i lirë”. Termi “freeware” përdorej shpesh gjatë viteve ’80 për programe të hedhur në qarkullim vetëm në formën e të ekzekutueshmit, pa mundësi për konsultim të kodit burim. Sot, për të, nuk ka ndonjë përkufizim të veçantë të pranuar.

Kur përdorni gjuhë të tjera nga anglishtja, ju lutemi, shmangeni huazimin e termave të anglishtes, të tillë si “software i lirë” ose “freeware”. Është më mirë të përkthehet termi “software i lirë” në gjuhën tuaj.

Duke përdorur një fjalë në gjuhën tuaj, tregoni se po i referoheni vërtet lirisë dhe jo thjesht të bëni papagallin për një koncept të huaj, misterioz, marketingu. Në fillim, bashkëkombësve tuaj mundet t’u duket i huaj ose shqetësues referimi ndaj lirisë, por sapo të shohin se nënkupton pikërisht atë që shpreh, ata do ta kuptojnë vërtet se si është puna.

“Google”

Ju lutemi, shmangeni përdorimin e termit “google” si folje, në kuptimin e kërkimit për diçka në internet. “Google” është thjesht emri i njërit prej shumë motorëve për kërkime. Këshillojmë të përdorni termin “kërko në web” ose (në ca kontekste të tjera) thjesht “kërko”. Përpiquni të përdorni një motor kërkimesh që respekton privatësinë tuaj; për shembull, DuckDuckGo pretendon se nuk i gjurmon përdoruesit e vet. (Nuk ka ndonjë mënyrë për dikë jashtë të verifikojë pretendime të këtij lloji.)

“Hacker”

Një hacker është dikush të cilit i shijon zgjuarsia lojcake — jo doemos me kompjuterat. Programuesit në bashkësinë e dikurshme MIT të software-it të lirë në vitet ’60 dhe ’70 i referoheshin njëri-tjetrit si hackers. Aty nga 1980, gazetarët që zbuluan bashkësinë e hacker-ave, gabimisht e morën termin si të thoshte “thyes sigurie”.

Ju lutemi, mos e përhapni këtë gabim. Personat që çajnë sigurinë janë “crackers”.

“I hapët”

Ju lutemi, shmangeni përdorimin e termit “i hapët” ose “burim i hapët” si zëvendësim për “software i lirë”. Këto terma i referohen një pozicioni të ndryshëm të bazuar në vlera të tjera. Lëvizja e software-it të lirë lufton për lirinë tuaj në punimin me kompjuter, si çështje drejtësie. Jo-lëvizja e burimit të hapët nuk lufton për ndonjë gjë në këtë mënyrë.

Kur u referoheni pikëpamjeve të burimit të hapët, është e saktë të përdoret ai emër, por, ju lutemi, mos e përdorni atë term kur flisni rreth nesh, software-it tonë, apo pikëpamjeve tona — kjo i shpie njerëzit të supozojnë se pikëpamjet tona janë të ngjashme me të tyret.

Në vend të me burim të hapët, ne themi, software i lirë ose software i lirë (libre).

“I mbyllur”

Përshkrimi i software-it jo të lirë si “i mbyllur” i referohet qartazi termit “burim i hapët”. Në lëvizjen e software-it të lirë, nuk duam të na ngatërrojnë me kampin e burimit të hapët, ndaj jemi të kujdesshëm që t’i shmangemi thënies së gjërave që do t’i nxisnin njerëzit të na fusin në një thes me ta. Për shembull, e shmangim përshkrimin e software-it jo të lirë si “i mbyllur”. E quajmë “jo i lirë” ose “pronësor”.

“Industri Software-i”

Termi “industri software-i” i nxit njerëzit të përfytyrojnë se software-i zhvillohet gjithmonë nga njëfarë fabrike dhe mandej u shpërndahet “konsumatorëve”. Bashkësia e software-it të lirë dëshmon se nuk është kështu. Ekzistojnë biznese software-i dhe një numër biznesesh zhvillojnë software të lirë dhe/ose jo të lirë, por ato që zhvillojnë software të lirë nuk funksionojnë si fabrika.

Termi “industri” përdoret si propagandë nga mbrojtësit e patentave mbi software-in. Këta e quajnë zhvillimin e software-it “industri” dhe mandej rreken të argumentojnë se kjo do të thotë që ajo duhet t’u nënshtrohet monopoleve të patentave. Parlamenti Europian, duke hedhur poshtë patentat mbi software-in më 2003, votoi për përkufizimin e “industrisë” si “prodhim i automatizuar të mirash materiale”.

“Inteligjencë Artificiale”

Paniku moral rreth ChatGPT-së ka shpënë në turbullim, ngaqë njerëzit shpesh flasin për të si “inteligjencë artificiale”. A është ChatGPT-ja e përshkruar saktë me inteligjencë artificiale? A duhet ta quajmë kështu? Profesori Sussman i Laboratorit të Inteligjencës Artificiale në MIT argumenton në mënyrë bindëse se nuk duhet.

Zakonisht, “inteligjencë” do të thotë pasje dijeje dhe të kuptuari, të paktën rreth disa llojesh të gjërave. Një inteligjencë artificiale e vërtetë duhet të ketë ca dije dhe të kuptuar. Inteligjenca e përgjithshme artificiale do të ishte në gjendje të dinte dhe të kuptonte krejt llojet e gjërave; ajo nuk ekziston, por kemi sisteme me inteligjencë artificiale të kufizuar, të cilët mund të dinë dhe të kuptojnë gjëra në disa fusha të kufizuara.

By contrast, ChatGPT knows nothing and understands nothing. Its output is merely smooth babbling. Anything it states or implies about reality is fabrication (unless “fabrication” implies more knowledge than that system really has). Seeing a correct answer to any real question in ChatGPT output is folly, as many have learned to their dismay. Në kontrast me këtë, ChatGPT-ja s’di asgjë dhe s’kupton asgjë. Ato që jep s’janë gjë tjetër veç dërdëllitje të rrjedhshme. Çfarëdo që pohon, apo nënkupton rreth realitetit, është fabrikim (veç nëse “fabrikim” nënkuptoftë më tepër dije se sa ka sistemi në të vërtetë). Kërkimi i përgjigjeve të sakta për çfarëdo pyetje të njëmendtë në atë çka prodhon ChatGPT është marrëzi, si e kanë zbuluar mjaft vetë.

Kjo s’ka të bëjë me hollësitë e sendërtimit. Është një kufizim inherent i rrjedhur nga trajtimi themelor që përdorin këto sisteme.

Ja se si rekomandojmë terminologji të përdorur për sisteme të bazuar në rrjete neuralë të stërvitur.

  • “Inteligjencë artificiale” është një term i përshtatshëm për sisteme që kanë të kuptuar dhe dije brenda njëfarë fushe, e vogël apo e madhe.
  • “Gjeneratorë broçkullash” është një term i përshtatshëm për sisteme si ChatGPT që prodhojnë dërdëllitje të ëmbla që duket se pohojnë gjëra rreth botës, pa i kuptuar nga ana semantike ato dërdëllitje.
  • “Sisteme gjenerativë” është një term i përshtatshëm për sisteme që prodhojnë me imagjinatë vepra artistike për të cila s’janë të aplikueshme cilësitë “e vërtetë” dhe “e rreme”.
  • “Systeme rrjetesh neuralë” (“NNS”) është një term i përshtatshëm për sisteme që stërvitin dhe përdorin një rrjet neural. Disa nga këto sisteme janë inteligjencë artificiale, teksa të tjerë janë gjeneratorë broçkullash, ose sisteme gjenerative.

    Sistemet e sotme që shpesh (drejt, ose gabim) quhen “inteligjencë artificiale” janë sisteme rrjetesh neurale, por në të ardhmen mund të sendërtohen në rrugë të tjera.

  • “Sisteme të nxëni nga makina” është në thelb i barasvlershëm me “sisteme rrjetesh neurale” nën teknologjinë e sotme.

Mund t’i referohemi ChatGPT-së dhe të ngjashmëve si “sisteme rrjetesh neuralë prodhues”, sepse janë sisteme prodhues dhe përdorin rrjete neuralë. U përshtatet edhe termi më i ngushtë “modele të gjerë gjuhe” (“LLM”).

Ka sisteme që përdorin rrjete neuralë për të mësuar të dallojnë rregullsi specifike të rëndësishme në të dhëna. Çka prodhojnë, mund të pasqyrojë dije të njëmendtë—për shembull, nëse një pamje e një indi shfaq gjendje të caktuar mjekësore, ose nëse një insekt është një greth aziatik që ha bletën. Shkencëtarët vlerësojnë çka prodhohet, duke e krahasuar gjykimin e sistemit me prova eksperimentale. Kjo e përligj referimin këtyre sistemeve si “inteligjencë artificiale”. Po njësoj me sistemet që media joshoqërore përdorin për të vendosur ç’t’i shfaqet apo t’i rekomandohet një përdoruesi, ngaqë shoqëritë vlerësojnë nëse kjo “bën punë”, në kuptimin e shtimit të “angazhimit të përdoruesit”, edhe pse ky manipulim i përdoruesve mund të jetë i dëmshëm për ta dhe shoqërinë në tërësi.

Bizneset dhe qeveritë përdorin sisteme të ngjashme për të vlerësuar si të merren me klientë potencialë, apo persona të akuzuar për gjëra të ndryshme. Këto përfundime vlerësimi shpesh flasin për vlerësim të pakujdesshëm dhe përfundimi mund të jetë padrejtësi e ardhur nga këto sisteme. Por, meqë qëllimi është të kuptojë, mund të merret të paktën si përpjekje për inteligjencë artificiale.

Siç e shfaqin shembujt, inteligjenca artificiale mund të jetë jofunksionale, ose sistematikisht e njëanshme, ose të funksionojë keq, po ashtu si inteligjenca natyrore. Këtu na intereson nëse ai term ka vend për instanca specifike apo jo, jo me nëse bën a jo mirë.

Kur gjeneratorët e broçkullave prodhojnë tekst që duket sikur bën pohime faktike, por përshkruan persona, vende dhe gjëra që s’ekzistojnë, ose akte që s’kanë ndodhur, është e modës të quhen “halucinacione” këto pohime, ose të thuhet se “i sajoi” sistemi. Kjo modë është një gabim ngatërrues konceptual, ngaqë merr si të mirëqenë se sistemi ka njëfarë lloj të kuptuari të domethënies së asaj çka prodhoi dhe se të kuptuarit e tij është ngatërrues në disa raste.

Kur gjeneratorë broçkullash prodhojnë tekst që duket When bullshit generators output text that appears to make factual statements but describe nonexistent people, places, things or events, it is fashionable those statements “hallucinations.” That fashion is a confusing mistake because it presumes that the system has some sort of understanding of the meaning of its output. We know it has no such thing. To hallucinate requires consciousness, which these systems totally lack.

“Internet Gjërash”

Kur kompanitë vendosën të prodhojnë pajisje elektro-shtëpiake të kompjuterizuara të cilat përmes internetit do të mund të lidheshin me shërbyesin e prodhuesit dhe kështu mund të spiunoheshin lehtë përdoruesit e tyre, e kuptuan se kjo s’do të dukej edhe aq mirë. Ndaj sajuan një emër të bukur, tërheqës: “Internet Gjërash”.

Përvoja tregon se këto produkte shpesh spiunojnë përdoruesit e tyre. Janë edhe të bëra enkas për t’u dhënë njerëzve këshilla të njëanshme. Veç kësaj, prodhuesi mund ta sabotojë produktin duke fikur shërbyesin nga i cili varet pajisja.

E quajmë “Internet Thumbash”.

“I passhëm lirisht”

Mos e përdorni “software i passhëm lirisht” si një sinonim për “software i lirë”. Termat nuk janë të barasvlershëm. Software-i është “i passhëm lirisht” nëse cilido mund të marrë lehtë një kopje. “Software i lirë” përkufizohet përmes termave të lirisë së përdoruesve që kanë një kopje të tij. Këto janë përgjigje për pyetje të ndryshme nga njëra-tjetra.

“Komerciale”

Ju lutemi, mos e përdorni fjalën “komerciale” si një sinonim për “jo i lirë”. Kështu ngatërrohen dy çështje tërësisht të ndryshme.

Një program është komercial nëse është zhvilluar si veprimtari biznesi. Një program komercial mund të jetë i lirë ose jo, varet nga mënyra e shpërndarjes së tij. Po njësoj, një program i zhvilluar nga një shkollë ose një individ mund të jetë i lirë ose jo, varet nga mënyra e shpërndarjes së tij. Dy pyetjet — ç’lloj njësie e zhvilloi programin dhe ç’liri gëzojnë përdoruesit e tij — janë të pavarura nga njëra-tjetra.

Në dhjetëvjeçarin e parë të lëvizjes së software-it të lirë, paketat e software-it të lirë qenë thuajse përherë jokomerciale; përbërësit e sistemit operativ GNU/Linux qenë ndërtuar nga individë ose ente jofitimprurës, të tillë si FSF-ja dhe universitete. Më vonë, në vitet ’90, filloi të dukej software i lirë komercial.

Software-i komercial i lirë është një ndihmesë për bashkësinë tonë, ndaj do të duhej ta nxitnim. Por, njerëzit që mendojnë se “komercial” do të thotë “jo i lirë”, do të priren të mendojnë se ndërthurja “komercial i lirë” është vetë-kontradiktore dhe ta hedhin tej si mundësi. Le të bëjmë kujdes të mos e përdorim fjalën “komercial” në atë mënyrë.

“Kompensim”

Të flasësh për “kompensim të autorëve”, kur bëhet fjalë për të drejta kopjimi, bart supozimin që (1) të drejtat e kopjimit ekzistojnë për hatër të autorëve dhe (2) kurdo që lexojmë diçka, hyjmë në borxh te autori, të cilin duhet mandej ta ripaguajmë. Supozimi i parë është thjesht i rremë dhe i dyti është i moralisht i papranueshëm.

“Kompensimi i zotëruesve të të drejtave” shton një rrjepje të mëtejshme: nga ju pritet të përfytyroni se kjo do të thotë të paguhen autorët dhe, me raste, kjo ndodh, por shumicën e kohës kjo do të thotë subvencion për të njëjtat shoqëri botimesh që po na vënë nën ligje të padrejta.

“Konsumator”

Termi “konsumator”, kur përdoret për t’iu referuar përdoruesve të kompjuter,it është i ngarkuar me supozime që duhet t’i hedhim tej. Disa vijnë prej idesë që përdorimi i një programi do të thotë “konsum” i programit (shihni zërin e mëparshëm ), që i shpie njerëzit të imponojnë mbi vepra dixhitale të kopjueshme përfundimet ekonomike të nxjerra lidhur me produkte materiale të pakopjueshme.

Për më tepër, t’i përshkruash përdoruesit e software-it si “konsumatorë” i referohet një kornizimi në të cilin njerëzit janë të kufizuar me përzgjedhjen prej çfarëdo “produktesh” që janë të gatshme në “treg”. Në këtë kornizim nuk ka vend për idenë që përdoruesit munden të ushtrojnë drejtpërsëdrejti kontrollin e tyre mbi atë që bën një program.

Për përshkrimin e personave që s’kufizohen me përdorimin pasiv të veprave, këshillojmë terma të tillë si “individë” dhe “shtetas”, në vend se “konsumatorë”.

Problemi me fjalën “konsumator” është vënë në dukje më parë.

“Konsumo”

“Konsumo” i referohet asaj që bëjmë me ushqimin: e tretim dhe pas kësaj ushqimi nuk ekziston më si i tillë. Për analogji, përdorim të njëjtën fjalë për produkte të tjera, përdorimi i të cilave i harxhon. Përdorimi i termit për të mira jo kaq të përkohshme, të tilla si veshje apo aparatura, e shtyn ca larg konceptin. Përdorimi i tij për vepra të botuara (programe, incizime në një disk apo në një kartelë, libra në letër ose dixhitalë), natyra e të cilëve është rrojtja pafundësisht dhe që mund të xhirohen, dëgjohen apo lexohen çfarëdo numri herësh, do të thotë ta tendosësh fjalën aq shumë, sa kriset. Dëgjimi i një disku, apo xhirimi i një programi, nuk e konsumon atë.

Ata që përdorin “konsumo” në këtë kontekst, do të thonë se nuk duhet marrë fjalë për fjalë. Atëherë, ç’do të thotë konsumo? Do të thotë të shihen kopjet e software-it dhe vepra të tjera nga pikëpamja e ngushtë ekonomike. “Konsumo” i përshoqërohet ekonomisë së mallrave materiale të tregut, të tilla si karburantet apo energjia elektrike që konsumon një automjet. Nafta është mall tregu, po njësoj edhe energjia elektrike. Mallrat e tregut janë të zëvendësueshëm: një pikë naftë që digjni sot, s’ka asgjë të veçantë nga një pikë tjetër që dogjët javën e kaluar.

Ç’do të thotë të perceptohen vepra autorësie si mall tregu, duke marrë të mirëqenë se s’ka asgjë të veçantë në cilëndo histori, artikull, program, apo këngë? Kjo është pikëpamja e shtrembëruar e pronarit apo llogaritarit të një shoqërie botimesh, dikush që nuk i çmon veprat e bëra publike si të tilla. S’është për t’u çuditur pse kampi i software-it pronësor do të donte ta shihnit përdorimin e software-it si një mall tregu. Pikëpamja e tyre e shtrembëruar duket qartë në këtë artikull, i cili u referohet gjithashtu botimeve si “content”.

Të menduarit ngushtë, përshoqëruar me idenë se ne “konsumojmë lëndë” shtron rrugën për ligje të tillë si DMCA-ja, që u ndalon përdoruesve të zhbllokojnë mekanizma Digital Restrictions Management (DRM) në pajisje dixhitale. Nëse përdoruesit e mendojnë atë që bëjnë me këto pajisje si të qe “konsum”, këto kufizime mund t’u duken të natyrshme.

Kjo nxit gjithashtu pranimin e shërbimeve “streaming”7, të cilat përdorin DRM-në për të kufizuar në mënyrë të mbrapshtë dëgjimin e muzikës, ose parjen e videove, për t’i rrudhur këto veprimtari që të plotësojnë parakushtet e fjalës “konsumo”.

Pse po përhapet ky përdorim i mbrapshtë? Disave mund t’u duket se termi tingëllon i sofistikuar, por hedhja e tij poshtë me arsyetim të qëruar mund të duket edhe më e sofistikuar. Disa duan të bëjnë përgjithësime mbi të gjitha llojet e mediave, por foljet e rëndomta të anglishtes (“lexo,” “dëgjo,” “shih”) nuk e kryejnë këtë. Të tjerë mund të jenë duke vepruar nga interesa biznesi (të tyret, ose të punëdhënësit të tyre). Përdorimi prej tyre i termit në forume prestigjioze jep përshtypjen se është termi i “saktë”.

Të flasësh për “konsum” të muzikës, filmave, apo çfarëdo vepre tjetër artistike, do të thotë t’i trajtosh si mall tregu, në vend se si art. Duam t’i konsiderojmë sipas kësaj mënyre veprat e botuara? Duam ta nxisim publikun të bëjë po kështu?

Ata që përgjigje me “jo”, ju lutem, bëhuni tok me mua në shmangien e termit “konsumo” për këtë.

Çfarë të përdoret? Mund të përdorni folje specifike, të tilla si “lexoni,” “dëgjoni,” “shihni” ose “shikojeni,”, ngaqë ato ndihmojnë të frenohet prirja për përgjithësime të tepruara.

Nëse ngulni këmbë në përgjithësim, mund të përdorni shprehjen “ndjek,” që lyp më pak sforcim se sa “konsumo”. Për një vepër të menduar për përdorim praktik, “përdor” është më e mira.

Shihni edhe zërin vijues.

“Krijues”

Termi “krijues”, i zbatuar mbi autorë, i krahason këta në mënyrë të heshtur me një hyjni (“krijuesi”). Termi përdoret nga botuesit për ta ngritur pozicionin moral të autorëve mbi atë të njerëzve të rëndomtë, me qëllim që të përligjet dhënia atyre fuqie më të madhe të drejtash kopjimi, të cilën mandej botuesit mund ta ushtrojnë në emër të tyre. Ne këshillojmë të thuhet “autor”. Sidoqoftë, në shumë raste ajo që nënkuptoni faktikisht është “zotërues të drejtash kopjimi”. Këto dy terma s’janë të barasvlershëm: shpesh zotëruesi i të drejtave të kopjimit s’është autori.

“Lëndë”

Nëse doni të përshkruani një ndjenjë rehatie dhe kënaqësie, thoni pa problem se jeni “content”, por përdorimi i fjalës si një emër për të përshkruar vepra dhe komunikime përmes të cilave njerëzit kanë shprehur veten, ju bën të adoptoni një qëndrim që më mirë mund të donit ta shmangnit: i trajton ato si një mall, qëllimi i të cilave është të mbushin një kuti dhe të shërbejnë për të nxjerrë para prej tyre. Në fakt, përçmon vetë veprat, duke e pasur mendjen te kutia plot. Për të shmangur këtë qëndrim, mund t’i quani “punime”, “publikime”, “mesazhe”, “komunikime”, si dhe me fjalë të tjera që janë më specifike.

Ata që përdorin termin “content” shpesh janë botuesit që ushtrojnë trysni për fuqi më të mëdha të drejtash kopjimi në emër të autorëve (“krijuesve”, siç thonë ata) të veprave. Termi “content” zbulon qëndrimin e tyre të njëmendtë kundrejt këtyre veprave dhe këtyre autorëve.

E njëjta fjalë, “content”, ka një tjetër përdorim, i cili është mjaftueshëm i ndryshëm në kuptim, saqë nuk e nxjerr këtë problem. Shfaqet në shprehjen “technical content”. Përdorim i kësaj shprehje përgjithësisht lidhet me një dokument specifik, ose botim dhe i referohet “informacionit” në atë”. Ky përdorim s’mbart ndonjë qëndrim ndaj botimeve dhe komunikimeve në përgjithësi.

Në mënyrë të ngjashme, fjala “contents” nuk e nxjerr këtë problem. Është një formë e fjalës “content”, por e përdorur me tjetër kuptim. Të flasësh mbi “përmbajtjen” (“contents”) e një kartele apo “tryezën e lëndës” (“table of contents”) të një libri nuk nënkupton gjykim mbi kartelat në përgjithësi, apo librat në përgjithësi, ndaj nuk ka problemin për të cilin po flasim këtu.

Këtë përdorim të termit “content” e dënuam së pari më 2002-shin. Prej atëhere, Tom Chatfield pranoi të njëjtën pikëpamje The Guardian:

Vetë lënda s’hyn hiç këtu — siç sugjeron vetë përdorimi i fjalëve të tilla, si “lëndë”. Nga çasti që vini etiketën “lëndë”, mbi çdo shkrim në botë, keni pranuar heshtazi ndërshkëmbyeshmërinë e tij: që qëllimi i tij parësor është ushqimi i blojës së kuantifikimit.

Me fjalë të tjera, termi “content” i redukton botimet dhe shkrimet në një lloj çorbe, e përshtatshme për t’u matur dhe rrjedhur nëpër “tubat” e internetit.

Më vonë, e vuri re edhe Peter Bradshaw.

Kjo është ajo që ndodh kur studiot e filmit i trajtojnë filmat si “content” korporate, të pastër, pa dallime, një tubacion Gazpromi çorbe superheronjsh që mund të mbyllet, kur llogaritarët thonë se ka kuptim të bëhet kjo.

Martin Scorsese dënoi konsiderimin e filmave si “content”.

Qëndrimi i nënkuptuar me termin “content” ilustrohet ashiqare në këtë përshkrim kritik të shtegut të zhvillimit të platformave të mbajtura në punë nga njerëz që e bazojnë të menduarit e tyre në atë koncept.

Artikulli e përdor këtë fjalë pa u lodhur, tok me “konsum” dhe “krijues”. Mbase kjo është menduar të ilustrojë mënyrën se si u pëlqen të mendojnë këtyre njerëzve.

Shihni edhe letrën e hapur të Courtney Love-it për Steve Case-in dhe kërkoni në atë faqe për “content provider”. Për fat të keq, Ms. Love s’e di që termi “pronësi intelektuale” është gjithashtu i anshëm dhe ngatërrues.

Sidoqoftë, për sa kohë që persona të tjerë përdorin termin “content provider”, disidentët politikë mund ta quajnë vetveten “malcontent providers”.9

Çmimin e parë të të qenit i zbrazët e merr termi “content management”.10 “Content” do të thotë “njëfarë informacioni” dhe “management” në këtë kontekst do të thotë “të bësh diçka me të”. Kështu, një “content management system” është një sistem për të bërë diçka mbi njëfarë informacioni. Këtë përshkrim e përmbushin thuajse krejt programet.

Në shumicën e rasteve, ai term faktikisht i referohet një sistemi për përditësim faqesh në një sajt. Për këtë, ne këshillojmë termin “sistem rishikimesh sajti” (WRS).

“Licencuar sipas Creative Commons”

Karakteristika më e rëndësishme e licencimeve është: është apo jo e lirë vepra. Creative Commons boton shtatë licenca; tre janë të lira (CC BY, CC BY-SA dhe CC0) dhe të tjerat s’janë të lira. Ndaj, duke e përshkruar një vepër si “të licencuar nën Creative Commons” nuk thuhet gjë nëse është e lirë apo jo dhe lihet të mendohet që pyetja s’është e rëndësishme. Përshkrimi mund të jetë i saktë, por harrimi i pjesës tjetër është i dëmshëm.

Që njerëzit të nxiten ta kenë mendjen te dallimi më i rëndësishëm, specifikoni përherë cila licencë Creative Commons është përdorur, fjala vjen, “licencuar sipas CC BY-SA”. Nëse nuk e dini se cilën licencë përdor një vepër e caktuar, gjejeni dhe mandej bëni pohimin tuaj.

“Lojtarë” (thënë për biznese)

Të përshkruhen bizneset si “lojëtarë” merr paraprakisht të mirëqenë se janë të motivuar vetëm dhe thjesht “për të fituar” atë çka e trajtojnë si një lojë të thuash pokeri—duke ia nënshtruar gjithçka tjetër fitimit, si efekt. Shpesh bizneset (dhe drejtuesit e tyre) veprojnë në atë mënyrë, por jo përherë dhe ne shpesh ushtrojmë trysni mbi ta që të respektojnë po ashtu edhe vlera të tjera.

Cinizmi moral i termit “lojëtarë” është në rezonancë me një dënim të përgjithshëm të biznesit, të cilin deri diku biznesi, në përgjithësi, e ka hak; në të njëjtën kohë, ai priret të largojë përpjekjen për t’i gjykuar veprimet apo praktikat e çfarëdo biznesi sipas pikëpamjesh morale. Qoftë edhe ngritja e çështjes se nëse një biznes i caktuar i trajton njerëzit në mënyrë të padrejtë shkurajohet nga mërmëritja e metaforës së “lojëtarëve”, në sfond, “E ç’na duhet të pyesim?”; le ta shmangim atë metaforë.

“Mallra Dixhitale”

Termi “mallra dixhitale”, i zbatuar mbi kopje veprash me autorësi, i sheh ato në mënyrë identike me të mira materiale — të cilat nuk mund të kopjohen, ndaj për t’i shitur, duhet të prodhohen në sasi. Kjo metaforë i nxit njerëzit t’i gjykojnë çështjet e software-it apo veprash të tjera dixhitale bazuar në idetë dhe intuitën rreth të mirave materiale. I vendos gjithashtu problemet në rrafshin e ekonomisë, vlerat e cekëta dhe të kufizuara të së cilës nuk përfshijnë lirinë dhe bashkësinë.

“Mbrojtje”

Avokatët e botuesve e kanë fort për zemër përdorimin e termit “mbrojtje”, kur përshkruhen të drejtat e kopjimit. Kjo fjalë bart nënkuptimin e parandalimit të shkatërrimeve dhe vuajtjeve; kështu që, i nxit njerëzit të identifikohen me zotëruesin e të drejtave të kopjimit dhe botuesin që përfiton prej këtyre të drejtave, në vend se me përdoruesit që ato kufizojnë.

Është e lehtë të shmanget termi “mbrojtje” dhe në vend të tij të përdoren terma asnjanës. Për shembull, në vend se të thuhet, “Mbrojtja me të drejta kopjimi zgjat për një kohë të gjatë”, mund të thoni, “Të drejtat e kopjimit zgjatin për një kohë të gjatë”.

Në mënyrë të ngjashme, në vend se të thoni, “e mbrojtur me të drejta kopjimi”, mund të thoni, “e mbuluar nga të drejta kopjimi” ose thjesht “nën të drejta kopjimi”.

Nëse doni t’i kritikoni të drejtat e kopjimit, në vend se të jeni asnjanës, mund të përdorni termin “kufizime nga të drejta kopjimi”. Kështu, mund të thoni, “Kufizimet nga të drejta kopjimi zgjasin për një kohë shumë të gjatë”.

Termi “mbrojtje” përdoret gjithashtu për të përshkruar veçori të mbrapshta. Për shembull, “mbrojtje nga kopjimi” është një veçori që pengon kopjimin. Nga pikëpamja e përdoruesit, kjo përbën pengesë. Ndaj këtë veçori të mbrapshtë mund ta quanim “pengim kopjimi”. Më shpesh quhet Administrim Dixhital Kufizimesh (DRM) — shihni fushatën Defective by Design.

“Model burimi”

Wikipedia e përdor termin “model burimi” në një mënyrë të turbullt dhe të dykuptimtë. Në dukje, i referohet mënyrës se si jepet burimi i një programi, por teksti e ngatërron këtë me metodologjinë e zhvillimit. E bën dallimin mes “burim i hapët” dhe ”burim i ndarë me të tjerë”, por këto mbivendosen — Microsoft-i të dytën e përdor si një term marketingu për të mbuluar një gamë të gjerë praktikash, disa prej të cilave janë “burim i hapët”. Kështu pra, ky term vërtet që nuk përcjell informacion koherent, por jep një mundësi për të thënë “burim i hapët” në faqe që përshkruajnë programe software-i të lirë.

“Modern”

Termi “modern” ka kuptim nga një këndvështrim përshkrues — për shembull, vetëm për të dalluar periudha dhe mënyra më të reja prej të vjetrash.

Problemet fillojnë kur bart supozimin se mënyrat e dikurshme janë “të modës së vjetruar”; domethënë, të supozuara se janë më të këqija. Në fusha teknologjie, ku vendimet i merr biznesi dhe i imponon ato mbi përdoruesit, e kundërta është shpesh e vërtetë.

“Monetizoni”

Përkufizimi i duhur i “monetizo” është “të përdorësh diçka si monedhë”. Për shembull, shoqëritë njerëzore kanë monetizuar arin, argjendin, bakrin, letrën e shtypur, lloje të ndryshme guaskash dhe gurë të mëdhenj. Por tani shohim një prirje për ta përdorur fjalën në një mënyrë tjetër, që do të thotë “të përdorësh diçka si bazë për fitime”.

Ky përdorim vë në plan të parë fitimin dhe në plan dytësor gjënë e përdorur për të siguruar fitime. Ky qëndrim, i zbatuar mbi një projekt software-i është i papranueshëm, sepse do të sillte që zhvilluesit ta bëjnë programin pronësor, nëse dalin në përfundimin se bërja e tij i lirë s’është edhe aq me fitim.

Një biznes produktiv dhe etik mund të fitojë para, por nëse gjithçka ia nënshtron fitimit, ka gjasa të mos mbetet etik.

“MP3 Player”

Në fund të viteve ’90 u bë e mundur të krijoheshin lojtës audioje dixhitalë portativë. Shumica mbulonin kodekun e patentuar MP3 dhe ende kështu është. Disa mbulonin kodekë të lirë nga patenta për audio, Ogg Vorbis dhe FLAC dhe pak prej tyre s’luanin dot fare kartela të koduara me MP3, ngaqë zhvilluesve të tyre u duhej të mbronin veten nga patenta mbi formatin MP3.

Përdorimi i termit “lojtës MP3” në përgjithësi për lojtës audiosh ka si efekt promovimin e formatit MP3 dhe shkurajimin e përdorimit të formateve të tjerë (disa prej të cilëve janë teknikisht edhe më sipër). Edhe pse patentat mbi MP3 kanë skaduar, ende është e padëshiruar të bëhet kështu.

Sugjerojmë termin “lojtës audioje dixhitale,” ose thjesht “lojtës audio”, kur kaq është mjaftueshëm e qartë, në vend se të “lojtës MP3.”

“Ndarje me të tjerët (të dhënash personale)”

Kur kompanitë manipulojnë ose joshin njerëzit për të zbuluar të dhëna personale, duke hequr kështu dorë nga privatësia e tyre, ju lutemi, mos iu referoni kësaj si “ndarje me të tjerët”. Termin “ndarje me të tjerë” e përdorim për t’iu referuar bashkëpunimit jokomercial, përfshi rishpërndarje jokomerciale kopjesh të përpikta veprash të botuara dhe themi kjo është mirë. Ju lutemi, mos e aplikoni këtë fjalë për një praktikë që është e dëmshme dhe e rrezikshme.

Kur një shoqëri i jep një shoqërie tjetër të dhëna personale të grumbulluara, kjo meriton edhe më pak termin “ndarje me të tjerë”.

“PC”

S’ka problem të përdoret shkurtimi “PC” për t’iu referuar një lloji të caktuar hardware-i kompjuteri, por ju lutemi, mos e përdorni atë me implikimin që kompjuteri po xhiron Microsoft Windows. Nëse instaloni GNU/Linux në të njëjtin kompjuter, prapë PC është.

Termi “WC” është sugjeruar për kompjuter që xhiron Windows.

“Photoshop”

Ju lutemi, shmangeni përdorimin e termit “fotoshop” si një folje, për të nënkuptuar çfarëdo manipulimi fotosh apo përpunime figurash në përgjithësi. Photoshop është thjesht emri i një programi të caktuar për përpunim figurash, që duhet shmangur, sa kohë që programi është pronësor. Ka plot programe të lira për përpunim figurash, fjala vjen, GIMP.

“Pirateri”

Botuesit shpesh i referohen si “pirateri” kopjimit që ata s’e miratojnë. Në këtë mënyrë, nënkuptojnë se nga pikëpamja etike është i barasvlershëm me sulmim anijesh në det të hapur, rrëmbim dhe vrasje personash në to. Duke u bazuar mbi një propagandë të tillë, ata kanë siguruar në shumicën e botës ligje që pengojnë kopjimin në shumicën (ose ndonjëherë në krejt) e rrethanave. (Ende ushtrojnë presion për t’i bërë këto ndalime edhe më të plota.)

Nëse nuk besoni se kopjimi i pamiratuar nga botuesi është njësoj me pengmarrjen dhe vrasjen, mund të parapëlqenit të mos e përdornit fjalën “pirateri” për përshkrimin e tij. Mund të përdoren më mirë terma asnjanës të tillë si “kopjim i paautorizuar” (ose “kopjim i ndaluar”, për rastet kur është i paligjshëm). Disa nga ne mundet madje të parapëlqejnë të përdorin një term pozitiv të tillë si “ndarje informacioni me fqinjin tuaj”.

Një gjykatës në ShBA, gjatë drejtimit të një gjyqi kundër cenimesh të drejtash kopjimi, pranoi se “pirateri” dhe “vjedhje” janë fjalë njollosëse.

“PowerPoint”

Ju lutemi, shmangeni përdorimin e termit “PowerPoint” në çfarëdo kuptimi të lidhur me shfaqje diapozitivash. “PowerPoint” është thjesht emri i një programi të veçantë pronësor për krijim paraqitjesh. Për hir të lirisë suaj, do të duhej të përdornit vetëm software të lirë për krijim të paraqitjeve tuaja—çka do të thotë, jo PowerPoint. Ndër mundësitë e këshilluara hyjnë klasa beamer e LaTeX-it dhe LibreOffice Impress.

“Produkt”

Nëse flisni rreth një produkti, quajeni pa problem kështu. Sidoqoftë, kur i referoheni një shërbimi, ju lutemi, mos e quani “produkt”. Nëse furnizuesi i një shërbimi e quan shërbimin “produkt,”, ju lutemi, këmbëngulni pa lëkundje në quajtjen e tij “shërbim”. Nëse furnizuesi i një shërbimi e quan ujdinë për një paketë “produkt,” ju lutemi, këmbëngulni pa lëkundje në quajtjen e saj “ujdi.”

“Pronar të Drejtash Kopjimi”

Të drejtat e kopjimit janë një privilegj artificial, dhënë nga shteti për të përmbushur një interes publik dhe që zgjat një farë kohe — jo një e drejtë natyrore, si zotërimi i një shtëpie, apo një setre. Juristët e pranonin këtë duke iu referuar marrësit të këtij privilegji si një “mbajtës të drejtash kopjimi”.

Pak dhjetëvjeçarë më parë, mbajtësit e të drejtave të kopjimit filluan të rreken ta ulin ndërgjegjësimin lidhur me këtë pikë. Veç përmendjes së shpeshtë të konceptit të rrejshëm të “pronës intelektuale,” ata filluan edhe ta quajnë veten “pronarë të drejtash kopjimi”. Ju lutemi, bashkojuni përpjekjeve tona për kundërvënie, duke përdorur në vend të kësaj termin tradicional “mbajtës të drejtash kopjimi”.

“Pronësi intelektuale”

Botuesve dhe avokatëve u pëlqen t’i përshkruajnë të drejtat e kopjimit si “pronësi intelektuale” — një term që zbatohet edhe mbi patentat, shenjat tregtare dhe fusha të tjera edhe më të errëta të ligjit. Këto ligje kanë kaq pak gjëra të përbashkëta dhe ndryshojnë kaq shumë nga njëri-tjetri, saqë është e pavend të bëhen përgjithësime rreth tyre. Më e mira është të flitet qartazi për “të drejta kopjimi”, ose mbi “patenta”, ose mbi “shenja tregtare”.

Termi “pronësi intelektuale” bart një supozim të fshehur — që mënyra e të menduarit mbi tërë këto çështje krejt të ndryshme njëra nga tjetra bazohet në një analogji me objekte materiale dhe në konceptimin e tyre prej nesh si pronësi fizike.

Kur vjen puna te kopjimi, kjo analogji shpërfill dallimin kyç mes objekteve materiale dhe informacionit: informacioni mund të kopjohet dhe ndahet me të tjerët thuajse pa mundim, ndërkohë që objektet materiale jo.

Që të shmanget përhapja e anësive dhe konfuzionit, më e mira është të adoptohet një rregull i patundur për të mos folur apo madje menduar me terma të “pronësisë intelektuale”.

Hipokrizia e quajtjes së këtyre fuqive “të drejta” ka filluar të vërë në siklet World “Intellectual Property” Organization.

“RAND (Reasonable and Non-Discriminatory)”11

Entet e standardeve, që përhapin standarde të kufizuar nga patenta të cilat ndalojnë software-in e lirë, zakonisht kanë një rregull adoptimi licenca patentash që lypin një çmim të caktuar për çdo kopje të programit mbi të cilin aplikohet patenta. Ata shpesh u referohen këtyre patentave me termin “RAND”, që është shkurtim i “reasonable and non-discriminatory”.

Ky term shërben për të bojatisur një klasë licencash patentash që normalisht as të arsyeshme janë, as jodiskriminuese. Është e vërtetë që këto licenca nuk diskriminojnë ndonjë person të veçantë, por ato diskriminojnë bashkësinë e software-it të lirë dhe kjo i bën ato të paarsyeshme. Pra, gjysma e termit “RAND” është e rrejshme dhe gjysma tjetër është e paragjykuar.

Entet e standardeve do të duhej të pranonin që këto licenca janë diskriminuese dhe të reshtin përdorimin e termit “të arsyeshme dhe jo-diskriminuese”, ose “RAND” për përshkrimin e tyre. Deri sa ta bëjnë këtë, shkruesit që s’duan të bëhen pjesë e bojatisjes, do të bënin mirë ta hidhnin tej atë term. Ta pranosh dhe ta përdorësh atë, thjesht pse kompanitë që vringëllijnë patenta e kanë bërë të përhapur, do të thotë t’i lësh këto kompani të diktojnë pikëpamjet që shprehni.

Si zëvendësim, sugjerojmë termin “uniform fee only”, ose shkurt “UFO”. Është i saktë, sepse kushti i vetëm në këto licenca është një çmim i njëtrajtshëm pagese kundrejt shfrytëzimit të patentës.

“SaaS” ose “Software as a Service”12

Dikur thonim se SaaS (shkurtim për “Software as a Service”) është padrejtësi, por mandej pamë se kish shumë larmi në atë se ç’kuptonin njerëzit si veprimtari SaaS. Ndaj kaluam në një term të ri, “Service as a Software Substitute”3 ose “SaaSS”. Ky term ka dy përparësi: s’ka qenë përdorur më parë, kështu që përkufizimi ynë është i vetmi për të dhe shpjegon se ku qëndron padrejtësia.

Për diskutim të kësaj çështjeje, shihni Kujt i Shërben Në të Vërtetë Ai Shërbyes?.

Në spanjisht vazhdojmë të përdorim termin “software como servicio” ngaqë qyfyri “software como ser vicio” (“software i të qenit i dëmshëm”) është shumë i bukur për të hequr dorë prej tij.

“Sharing economy”

Termi “sharing economy” s’është mënyrë e mirë për t’iu referuar shërbimeve të tilla si Uber dhe Airbnb që trajtojnë transaksione biznesi mes njerëzve. Ne e përdorim termin “sharing” për t’iu referuar bashkëpunimit jokomercial, përfshi rishpërndarjen jokomerciale të kopjeve të përpikta të veprave të botuara. Sforcimi i fjalës “sharing” që të përfshijë këto transaksione, ia dobëson kuptimin, ndaj s’e përdorim në këtë kontekst.

Një term më i përshtatshëm për biznese të tillë si Uber është “ekonomi shërbimesh pune me copë” ose “gig economy”.

“Shitni software”

Termi “shitni software” është i dykuptimtë. Po ta shohim strikt, shkëmbimi i një kopjeje të një programi të lirë me një shumë parash është shitje e një programi dhe s’ka asgjë gabim në të. Por njerëzit zakonisht e përshoqërojnë termin “shitje software-i” me kufizimet e atij pronësor mbi përdorimin që i bëhet në vijim software-it të shitur. Konfuzionin mund ta pastroni dhe parandaloni, duke thënë ose “shpërndarje kopjesh të një programi kundrejt një çmimi” ose “imponim kufizimesh pronësore mbi përdorimin e një programi”.

Për diskutim të mëtejshëm të kësaj çështjeje shihni Shitje Software të Lirë.

“Sistem LAMP”

“LAMP” është shkurtim për “Linux, Apache, MySQL dhe PHP” — një ndërthurje e rëndomtë software-i për t’u përdorur në një shërbyes web, hiq faktin që “Linux” në këtë kontekst i referohet në fakt sistemit GNU/Linux. Ndaj në vend të “LAMP” do të duhej të qe “GLAMP”: “GNU, Linux, Apache, MySQL dhe PHP”.

“Sistem Linux”

Linux është emri i kernelit që Linus Torvalds zhvilloi duke filluar më 1991. Sistemi operativ në të cilin përdoret Linux-i është në thelb GNU me Linux-in të shtuar. Të quash krejt sistemin “Linux” është edhe jo e drejtë, edhe ngatërruese. Ju lutemi, quajeni sistemin e plotë GNU/Linux, qoftë për t’i dhënë hakën Projektit GNU, qoftë edhe për ta dalluar sistemin në tërësi nga kerneli më vete.

“Skype”

Ju lutemi, shmangeni përdorimin e termit “skype” si folje, për të nënkuptuar çfarëdo lloj komunikimi me video apo telefoni nëpër Internet në përgjithësi. “Skype” është thjesht emri i një programi të dhënë pronësor, një i cili i spiunon përdoruesit e tij. Nëse doni të bëni thirrje me video dhe zë në Internet në një mënyrë që respekton si lirinë, ashtu edhe privatësinë tuaj, provoni një nga zëvendësimet e shumta të lira për Skype-in.

“Software give away”13

Të përdorësh termin “give away” për të nënkuptuar “shpërndajeni një program si software të lirë”, është çorientuese. Ky lokucion ka të njëjtin problem si “falas”: nënkupton që thelbi është çmimi, jo liria. Një mënyrë për të shmangur konfuzionin është të thuhet “hidheni në qarkullim si software të lirë”.

“Treg”

Të përshkruhen përdoruesit e software-it të lirë, ose përdoruesit e software-it në përgjithësi, si “treg”, është çorientuese.

Jo për të thënë që në bashkësinë e software-it të lirë s’ka vend për tregjet. Nëse keni një biznes asistence software-i të lirë, do të thotë që keni klientë dhe se jepni e merrni në frymë tregtie me ta. Për sa kohë që respektoni lirinë e tyre, i urojmë tregut tuaj suksese.

Por lëvizja për software të lirë është një lëvizje shoqërore, jo biznes dhe suksesi të cilin synon, s’është sukses tregu. Po përpiqemi t’i shërbejmë publikut duke i dhënë liri — jo duke konkurruar për t’i hequr biznes një rivali. Që ta barazosh këtë fushatë për liri me përpjekjet e një biznesi për sukses dhe aq, do të thotë të mohosh rëndësinë e lirisë dhe të legjitimosh software-in pronësor.

“Tregtues”

Ju lutemi, mos e përdorni termin “tregtues” për t’iu referuar pëje edhe disa paketa software i lirë. Megjithatë, mjaft programe zhvillohen nga vullnetarë ose entet që nuk synojnë shitje kopjesh. Këta programues nuk janë tregtues. Po njësoj, vetëm disa paketues shpërndarjesh GNU/Linux janë tregtues. Këshillojmë më mirë termin e përgjithshëm “furnizues”.

“Trusted Computing”14

“Trusted computing” është emri që i kanë vënë përkrahësit e saj një skeme për t’i rikonceptuar kompjuterat në mënyrë të tillë që zhvilluesit e aplikacioneve të mund t’i besojnë kompjuterit se do t’u bindet atyre, në vend se t’ju bindet juve. Sipas këndvështrimit të tyre, është i “besuar”; nga këndvështrimi juaj, është “hileqar”.

“Vjedhje”

Përkrahësit e formave shumë strikte, represive të drejtash kopjimi, shpesh përdorin fjalë të tilla si “vjedhur” dhe “vjedhje”, për t’iu referuar shkeljeve të të drejtave të kopjimit. Ky është shtrembërim, por do të donin ta merrnit për të vërtetë objektive.

Sipas sistemit ligjor të ShBA-ve, shkelja e të drejtave të kopjimit s’është vjedhje. Ligjet mbi vjedhjen nuk janë të zbatueshme mbi shkeljen e të drejtave të kopjimit. Përkrahësit e të drejtave represive të kopjimit me këtë përpiqen të joshin autoritetet — dhe keqinterpretojnë ato çka thonë autoritetet.

Për të mos i pranuar, mund t’i drejtoni te ky shembull i njëmendtë që tregon se çfarë mund të përshkruhet saktë si “vjedhje të drejtash kopjimi”.

Kopjimi i paautorizuar ndalohet nga ligjet e të drejtave të kopjimit në mjaft rrethana (jo të gjitha!), por ndalimi nuk e bën të gabuar. Përgjithësisht, ligjet nuk përkufizojnë të drejtën dhe të gabuarën. Ligjet, në rastin më të mirë, rreken të japin drejtësi. Nëse ligjet (sendërtimi i tyre) nuk puqet me idetë tona të së drejtës dhe të gabuarës (specifikimet), ato që duhen ndryshuar janë ligjet.

Një gjykatës në ShBA, gjatë drejtimit të një gjyqi kundër cenimesh të drejtash kopjimi, pranoi se “pirateria” dhe “vjedhja” janë fjalë njollosëse.

“Zgjidhni lënien jashtë”

Kur aplikohet për çfarëdo forme keqtrajtimi kompjuterik, “zgjedhja e lënies jashtë” nënkupton se zgjedhja është gjë e vockël leverdie. Ne rekomandojmë “hidheni poshtë”, “shmangeni”. ose “hiqeni qafe”;

Bibliografi

  1. Hicks, M.T., Humphries, J. & Slater, J. ChatGPT is bullshit. Ethics Inf Technol 26, 38 (2024). https://doi.org/10.1007/s10676-024-09775-5

Shënime përkthimi

  1. Fjalë për fjalë do të thotë “punim kompjuterik në re”. Term i përdorur për të përshkruar punimin në kompjuter me programe dhe të dhëna të ruajtura jo në kompjuterin e përdoruesit, por në shërbyes të largët shërbimesh.
  2. i zënë nga retë, jo transparent. Një lojë fjalësh me termin cloud.
  3. Shërbim si Zëvendësim Software-i - term për të treguar përdorimin e një programi jo duke e pasur të instaluar në kompjuterin tuaj, por duke ndërvepruar me një instalim të tij diku gjetkë, në shërbyesit e atij që ofron shërbimin përkatës.
  4. Administrim Dixhital të Drejtash
  5. Administrim Dixhital Kufizimesh, një parodi e Digital Rights Management
  6. Program kompjuteri që mund ta kopjoni pa u dashur të paguani.
  7. Metodë transmetimi dhe marrjeje të dhënash (veçanërisht material video dhe audio) përmes një rrjeti kompjuterik, si një fluks i qëndrueshëm, i vazhdueshëm, që lejon të shihet teksa të dhënat shkarkohen në vazhdim.
  8. “Content” në anglisht ka dy kuptime, atë të të qenit të kënaqur dhe atë të lëndës, përmbajtjes, së diçkaje.
  9. Ironi e bazuar në kuptimin e content si gjendje kënaqësie, të kundërtën e saj, malcontent - pakënaqësisë dhe në provider - furnizues.
  10. Administrim lënde, nëse do të pranohej përkthimi i content si lëndë
  11. I arsyeshëm dhe Jodiskriminues
  12. Software si një Shërbim
  13. Give away - ang. të japësh diçka pa kërkuar gjë si këmbim
  14. Punim i Besueshëm Në Kompjuter, që s’ka probleme në pikëpamjen e sigurisë së të dhënave.